Thursday. 09 September 2010
   
Fillimi  
 
Menyja kryesore
Fillimi
Vegėza
Na kontaktoni
Kėrko
Besa
Biblioteka shqiptare
Shoqatat
Poezi
Forumi
Libri i mysafirve
Fotoalbumi
Doracak mbi shoqaten
Kuzhina shqiptare
LSHSHS
Statuti
Kryesia
Procesverbale
Komisioni zgjedhor
Revizorėt
Partnerėt
Aktuale
Lajme
Informata
Hyrje





Keni humbur fjalėkalimin?
Nuk keni llogari? Krijoni njė
Vizitorė: 231951
 
 
 
Aktuale
 
Faqet favorite
 
 
DEMOKRATIZIMI, OSE MJETI LIBERAL PĖR KOLONIZIM PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Murat   
Thursday. 19 February 2009

Agon Hamza

DEMOKRATIZIMI, OSE MJETI LIBERAL PËR KOLONIZIM

Diskursi i përndritur liberal na thotë se bashkësia ndërkombëtare (e shfaqur në formën e Perandorisë) është në Kosovë për të na ndihmuar. Këtë na e konfirmon edhe Hashim Thaçi. Duke vazhduar në këtë linjë të argumentimit, na thonë se bashkësia ndërkombëtare nuk është këtu për të na eksploatuar dhe rrjedhimisht nuk ka eksploatim ekonomik, politik etj. Çdo ikje nga kjo paradigmë damkoset si pjesë e një diskursi nacional–romantik, ksenofobik madje, dhe kualifikimet vazhdojnë tutje...

Problemi i parë në të cilin ndeshet ky diskurs është ai i konceptit të ndihmës. Ndihma është (pothuajse gjithnjë) e kundërt me nevojat shoqërore. Si koncept thelbësisht religjioz, ndihma është ekuivalent i lëmoshës. Pra, njeriu asnjëherë nuk merr aq sa i takon, por aq sa Tjetri mendon se atij i mjafton. Në anën tjetër, nevojat tona janë shoqërore, ato i takojnë një realiteti tokësor. Ato janë materiale dhe konkrete. Këtu ndeshemi me ndryshimin ndërmjet formës klasike të kolonizimit (ku kolonizator
është një shtet i caktuar) me formën e sotme: sot nuk kolonizon një shtet i vetëm mbi një shtet/territor të vetëm. Sot kolonizatori shfaqet në formën e Perandorisë (siç e quajnë Hardt&Negri): nuk ekziston një qendër e vendosjes (Washingtoni, Brukseli, Moska, NewYorku), dhe një qendër administrative, territori i të cilave zgjerohet
me kolonizim. P.sh. Kosova nuk është bërë pjesë e një shteti konkret, SHBA-të (dhe aleatët) nuk i kanë zgjeruar kufijtë me okupimin e Irakut e Afganistanit. Ato janë aty, në kufijtë e tyre shtetëror. Ndryshimi tjetër është raporti ndërmjet “civilizimit”
dhe “demokratizimit”: popujt e “civilizuar” shkonin në Afrikë, Azi, Amerikën Latine dhe i kolonizonin vendet dhe popujt “primitivë” – qëllimi ishte civilizimi i tyre, natyrisht kjo nënkuptonte eksploatimin e pasurive natyrore, shitjen e mallrave dhe shfrytëzimin
e fuqisë së lirë punëtore. Tani askund më nuk flitet për “civilizimin e popujve primitivë”.
Më nuk ekziston koncepti i “primitivizmit”, por i “kulturave tjera”, ose “të ndryshme”. Këtu racizmi është inherent. Kjo do të thotë që përbrenda “Tjetrit të ndryshëm”
fshihet një primitivizëm primordial, i cili nuk do të thotë që duhet domosdoshmërisht të ndryshohet/civilizohet, por në raport me te duhet ruajtur njëfarë distance të duhur, që në fjalorin politik e kulturor quhet tolerancë multikulturore. Larg nga përafrimi i kulturave të ndryshme, toleranca multikulturore dërgon drejt ndarjes edhe më të madhe ndërmjet
popujve. Toleranca multikulturore është pjesë shtojcë e liberal-demokracisë. Shënjuesi i sotëm i kolonializmit është demokracia: popujve të tjerë duhet t’u mësohet demokracia,
të drejtat e njeriut, etj.

A nuk është kjo paradigma politike mbi të cilën bashkësia ndërkombëtare e ndërton legjitimitetin e pranisë së saj në Kosovë? Çka dëgjojmë ne nga pushteti kolonial në Kosovë? Ata na thonë se jemi popull i mirë, pakës të paedukuar
(por, pasi që jetojmë në një sistem formal demokratik, jemi drejt edukimit), kemi një histori prej së cilës domosdoshmërisht duhet shkëputur – me një fjalë, jemi një popull
ekzotik. Siç thotë Fanoni, racizmi kolonial nuk është i ndryshëm prej racizmave të tjerë. Pushteti kolonialist na e mohon historinë, sepse e shkruan atë vet, thotë ai. Nëse dëgjohen me vëmendje deklaratat e ndërkombëtarëve në vendin tonë, fjala “shqiptarë” përmendet çdo herë e më pak. Si zëvendësim, kemi konceptin e Kosovarit – njeriut të ri. Këtu ndeshemi me dy koncepte jashtëzakonisht të rëndësishme politike: bashkëveprimin
e fantazisë dhe ideologjisë. Për Lacanin (dhe përgjithësi në psikoanalizë), koncepti I fantazisë përcakton një koincidence dialektike të bashkëveprimit të të kundërtave: ekziston pjesa e lumtur, e hareshme e saj dhe e kundërta, forma fondamentale e së cilës është fantazia e pistë (ose, xhelozia). Kur njëri është xheloz, pyetja e tij është: “çka bën gruaja/partnerja ime në shtrat me tjetrin, e që nuk e bën me mua?”, ose “”Si më trajton mua tjetri?”, etj. Nëse kjo zhvendoset në rrafshin e politikës (natyrisht, në nivelin më
naiv, bazik) do të kemi këtë: pjesa e hareshme e fantazisë së kolonizatorëve është Kosova si “një vend multietnik, demokratik dhe i integruar në BE” – për ta mirëmbajtur
këtë fantazi, duhet ta zhvillojnë pothuajse deri në ekstrem anën e kundërt të saj: zhdukja, ose asgjësimi i gjithçkaje që ka ekzistuar këtu më parë, në emër të një “të ardhme të përkryer”. Pra, për ta krijuar një subjekt ideologjik të ri – Kosovarin, duhet që me çdo kusht të asgjësohet Shqiptari.

Kur flitet për kolonializmin, mësimet e Fanonit janë të pashmangshme. Libri i tij i parë quhet “Lëkura e Zezë, Maska e Bardhë”. A nuk është pikërisht ky përshkrim të cilin ne e hasim tek Kosovarët e Rinjë? Kjo kastë njerëzish përfaqësohet denjësisht jo vetëm nëpërmjet politikanëve (pa përjashtim), por edhe nëpërmjet punëtorëve lokal të ndërkombëtarëve, disa analistëve, etj. Të gjithë këta, jo vetëm që retorikën e kanë përplot hipokrizi, por edhe ne sjellje e dukje tentojnë të mos duken si indigjenë. Keqkuptimi që duhet shmangur është se këtu në asnjë moment nuk po e implikoj lojën me moralin shqiptar, gjakun shqiptar, të cilat po na rrezikohen nga integrimi në tregun global, etj. Paradoksi i radhës është ky: gjendja koloniale nuk duhet të kuptohet si shkatërrim i kulturës lokale, integrimi në atë globale, shkatërrimi i shtetit–komb (të gjitha këto dokrra të pseudo-majtistëve). Ky nuk është rreziku kryesor. Çështja
është se gjendja koloniale është presion i vazhdueshëm, jo gjithnjë fizik, brutal (edhe pse këtë e kemi përjetuar) dhe si shpëtim nga kjo gjendje, pothuajse gjithnjë njerëzit
përfundojnë në dy pseudo-alternativa: fundamentalizmin religjioz dhe nacionalizmin konservativ. Te dyja janë tipike për gjendjen koloniale. Ky shantazh duhet të shmanget me çdo kusht.

Por, çka përfitojnë fuqitë koloniale nga prezenca e tyre në Kosovë? Përfitimi i strukturave ndërkombëtare nuk është vetëm ekonomik. Për shembull, krahasoni pagat e punëtorëve lokalë në raport me kolegët e tyre ndërkombëtarë për punën e njëjtë ose përafërsisht të njëjtë. Cilat punë i kryejnë punëtorët lokalë, etj. Është
një aspekt tjetër, ndoshta po aq i rëndësishëm sa edhe eksploatimi ekonomik. Kosova do të bëhet një hapësirë jashtëzakonisht e mirë për eksperimentet e të gjithëllojshme
ushtarake. Në çka tjetër përngjanë FSK-ja se sa një paratrupë ushtarake e cila do të angazhohet në misione “paqeruajtëse” ne vendet e pushtuara të radhës (ose, madje edhe në Irak e Afganistan)?
Ditëve të fundit në media po spekulohet për mundësinë e ndërtimit të raketave mbrojtëse amerikane në Shqipëri. Nuk është për t’u befasuar nëse së shpejti, SHBA-të vendosin që në vend se t’i vendosin radarët në Çeki, ato të vendosen në Kosovë (kujtoni
deklaratat e ministrit të jashtëm çek për shtyrjen e afatit të ndërtimit të radarëve). Pra, Kosova do të shndërrohet në një zonë ushtarake të kolonizatorëve. Një shtet pa ushtri, pa kurrfarë aftësie mbrojtëse nga aspiratat hegjemonike të fqinjëve tanë, por një vend ideal për t’u eksploatuar, e për më tepër, ne të kënaqemi me atë. Kjo është kënaqësia perverse e subjektit, i cili në psikanalizë quhet Skllav. Skllavi e njeh Padronin e tij në nivelin e dinjitetit njerëzor, përderisa vetveten e pozicionon në nivelin e jetës shtazore. Përkthyer në realitetin politik, kjo është pozita e të kolonizuarit në raport me kolonizatorin. Sa herë që i referohemi ndonjë punëtori ndërkombëtar, i themi “ai i huaji”: sikur ai është mishërimi i Tjetrit të madh, rendit simbolik. Është kjo ndjenjë nga e cila duhet çliruar, duke e përjetuar “të huajin” si kolonizator.

Gazeta “Express”, Prishtinë, 18 shkurt 2009

 
Tjetri >
 
 
Huvudmeny
Start
Länkar
Kontakta oss
Sök
Tidskrift Besa
Albanska biblioteket
Medlemsföreningar
Dikter
Forum
Gästbok
Fotoalbum
Föreningskursen
Albanska köket
ARF
Stadgar
Styrelse
Protokoller
Valberedningen
Revisorer
NBV
Aktuellt
Nyheter
Meddelanden
seminar
Voto
Votoni shqiptarin mė popullor dhe me arritjet mė tė mėdha nė Suedi
 
Votoni shqiptaren mė popullore dhe arritjet mė tė mėdhaja nė Suedi
 
Nė linjė
Momentalisht janė 10 vizitorė online
 
Sök
 
Design by Zak - Copyright www.dizajn.biz